Kërkoi të merrte pjesë në seancat plenare, SPAK rrëzon Berishën
Kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’iu rikthyer sërish jetës Parlamentare, është rrëzuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Pas depozitimit të kërkesës së Berishës nga mbrojtësit e tij, Sokos Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj, prokurorët nuk e kanë pranuar atë, duke mos e lejuar ish-kryeministrin, që të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.
Kërkesa e personit nën hetim, Berisha, u depozitua më 15 janar, ndërsa vendimi për mospranimin e kësaj kërkese u mor ditën e djeshme (18 janar) pas shqyrtimit të përmbajtjes së saj.
Berisha ndodhet në arrest shtëpiak nga data 31 dhjetor. Masa u kërkua pas dyshimeve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion se ish-kryeministri mund të ketë kryer veprën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.