Këshilli i Sigurimit mblidhet për Iranin- Teherani dhe 3 vende të tjera kërkuan të diskutohen sulmet e Izraelit
Misioni i Zvicrës në OKB njoftoi mbajtjen e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar rreth sulmit të Izraelit ndaj Iranit. Sipas saj takimi u kërkua nga Irani me mbështetjen e Algjerisë, Kinës dhe Rusisë.
“Veprimet e regjimit izraelit përbëjnë një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe destabilizojnë më tej një rajon tashmë të brishtë”- u shpreh ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi në një letër drejtuar Këshillit të përbërë nga 15 vende anëtare.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon hodhi poshtë kërkesën e Iranit në OKB.
“Tehrani po përpiqet të veprojë kundër Izraelit në arenën diplomatike me pretendimin qesharak se vendi im ka shkelur ligjin ndërkombëtar”.- u shpreh ai në një deklaratë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërpresin të gjitha veprimet ushtarake, përfshirë në Gazë dhe Liban dhe të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar një luftë gjithëpërfshirëse rajonale.
Ai u kërkoi qër të rikthehen në rrugën e diplomacisë. Ndërkohë, shefi i Mossad i Izraelit ndodhet në Doha për të biseduar me kryeministrin e Katarit dhe shefin e CIA-s. Dhjetëra avionë izraelitë sulmuan Iranin para agimit të së shtunës duke goditur fabrikat e raketave dhe objekte të tjera pranë Teheranit.
Ky sulm ishte kundërpërgjigje për sulmin raketor të Iranit më 1 tetor ndaj Izraelit. Egjipti propozoi të dielën një armëpushim dyditor mes Izraelit dhe Hamasit, gjatë të cilit do të lirohen katër pengjet e mbajtura në Gaza. Presidenti Abdel-Fattah el-Sissi tha se propozimi përfshin gjithashtu lirimin e disa të burgosurve palestinezë dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.