Këshilli i Sigurimit rrëzon rezolutën ruse për Gazën
Këshilli i Sigurimit i OKB-së hodhi poshtë një projektrezolutë ruse për luftën në Gaza që nuk përmendte Hamasin.
Teksti rus bën thirrje për një armëpushim humanitar, lirimin e të gjithë pengjeve dhe krijimin e një korridori humanitar.
Por, teksti nuk e dënoi Hamasin për sulmet e tij ndaj komuniteteve izraelite, marrjen e pengjeve apo sulmet me raketa.
Drafti dështoi me pesë vota pro, katër kundër dhe gjashtë abstenime.
SHBA, BM dhe Franca, të cilat kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, votuan kundër rezolutës, ashtu si edhe Japonia.
Rezoluta u mbështet nga Kina, Gaboni, Mozambiku, Rusia dhe EBA.
Shqipëria, Brazili, Ekuadori, Gana, Malta dhe Zvicra abstenuan.
Sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve pranë kufirit të Gazës vrau më shumë se 1 400 izraelitë dhe plagosi mbi 4 100. Të paktën 199 pengje u morën në Gaza.
Duke shpjeguar veton amerikane, ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield i tha Këshillit se ”duke dështuar të dënojë Hamasin, Rusia po mbulon një grup terrorist që vret brutalisht civilët e pafajshëm. Është e egër, është hipokrite dhe e pambrojtshme”.
Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të përcaktojë Hamasin si një “organizatë terroriste”.
”Çdo anëtar i këshillit duhet të kuptojë se Hamasi drejtohet nga një ideologji jo e ndryshme nga nazistët”, tha Erdan.
Erdan gjithashtu e quajti statutin e Hamasit “Mein Kampf mbi steroidet”.
Analistët i thanë TPS-së se Moska do të përpiqet të shfrytëzojë luftën e Gazës për të shkëputur botën nga lufta e saj në Ukrainë dhe për të prishur përpjekjet për paqen izraelito-saudite.