Këshilli i Sigurimit/ Zelenski: Pushtimi i Rusisë, agresion kriminal. T’i hiqet e drejta e vetos në OKB
Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku ka dënuar pushtimin e Rusisë ndaj vendit të tij, ndërsa nuk kurseu edhe kritikat ndaj OKB-së.
Pushtimin rus, Zelenski e quajti agresion kriminal dhe të paprovokuar, teksa tha se OKB mund të kishte bërë më shumë për të ndihmuar Kievin. Zelenski tha se Kombet e Bashkuara ndodhen në një bllokim, për shkak të vetos së Rusisë.
Ai bëri thirrje për reformim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që Rusisë t’i hiqet e drejta e vetos.
“Qysh prej nisjes së agresionit në shkallë të gjerë, ka shkaktuar 754 ditë vuajtjesh. Rusia ka vrarë dhjetëra mijëra nga njerëzit tanë. Shumica e njohin të vërtetën për këtë luftë, është një agresion kriminal e i paprovokuar nga Rusia që kërkon të aneksojë territorin e burimet e Ukrainës. Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet dhe ndihma për Ukrainën me armatime në këtë luftë dhe duke ushtruar trysni mbi agresorin, është diçka që ka ndihmuar në mbrojtjen e këtij vendi. Ne duhet ta pranojmë se Kombet e Bashkuara e gjejnë veten në një situatë të bllokuar kur vjen fjala për agresionin. Kur vjen fjala për mbrojtjen e vendeve, po kërkohen aleanca të reja të cilat mund të reduktojnë numrin e problemeve, të cilat në këto mure përballen me retorike dhe jo zgjidhje reale. Jetët duhet të mbrohen në mënyrë të pa kompromentueshme.
Formula e paqes së Ukrainës është baza për të përditësuar arkitekturën ekzistuese në botë për të kthyer fuqinë e OKB dhe rregullin e mbështetur në rregullat ndërkombëtare. Aksioni i OKB mund ta kishte ndalur këtë agresion duke mos i dhënë privilegjin agresorit. Vetoja e agresorit e ka çuar në një situatë bllokimi OKB. Sistemi aktual i Kombeve të Bashkuara ju bën me më pak ndikim sesa pushteti i vetos që përdoret nga disa e keqpërdoret nga një i vetëm, Rusia. Pabarazia përmendet nga vende të ndryshme dhe është pabarazia që e bën joefektive Kombet e Bashkuara dhe më vjen keq që KS është sot platforma më e madhe dhe e dukshme e botës. E di që mund të bëni më shumë. Megjithatë, që kjo të ndodhë, projektet shumë vjeçare të Kombeve të Bashkuara, duhet të kthehen në një proces në vijimësi që reformon Kombet e Bashkuara. Kjo ka të bëjë dhe me përdorimin e vetos, kjo është ajo që kërkon reformim dhe kjo mund të jetë një reformë kyçe, mund t’i kthejë fuqinë Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Zelenski.