Këshilli i Sigurimit- Ziade: Situata në Kosovë, ende e brishtë. Ministri serb: Kërkojmë reagim
Shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziade, prezantoi në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), në të cilën thuhet se situata në veri të Kosovës është ende e brishtë.
Pas leximit të këtij raporti, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, ka kërkuar reagim të shpejtë të Këshillit të Sigurimit pas një sërë masash të njëanshme dhe të rrezikshme nga Prishtina.
Gjatë seancës, Gjuriq theksoi se shkelja e të drejtave të njeriut dhe lëvizjet e njëanshme të institucioneve të Prishtinës, dhe Kryeministrit Albin Kurti, krijojnë klimë frike dhe destabiliteti, ndërsa shtoi se dhuna ndaj serbëve në veri të Kosovës u përshkallëzua dhe arriti në një nivel alarmant.
Gjuriq, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deklaroi se vetëm në vitin 2024, më shumë se 90 sulme kanë pasur për qëllim specifikisht individët dhe pronën serbe, dhe asnjë autor nuk u përball me drejtësinë.