Këshilli Ndërfetar Shqiptar qorton hapjen e Lojërave Olimpike: Antimorale dhe antifetare
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris vazhdon të shkaktojë debat për shkak të portretizimit provokues të një momenti simbolik për besimtarët e krishterë, siç është “Darka e fundit”.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u shpreh të martën (30 korrik) i shqetësuar për “cenimin dhe përdhosjen e vlerave universale”. Deklarata mori për bazë përshkrimin e momentit historik në librat e shenjtë kur Jezu Krishti darkon me dishepujt e tij. Në ceremoninë e Lojërave Olimpike, ky çast u zëvendësua në mënyrë skenike nga personazhe të njohura të kauzave LGBT.
“KNFSH, si një institucion i bashkërenduar nga pesë komunitete fetare, bazuar në vlerat tona islame dhe të krishtera shprehim indinjatën tonë për prekjen e ndjenjave morale, fetare dhe etike nëpërmjet një shfaqjeje, e cila ndikon negativisht në edukimin e brezave të rinj me antivlera dhe fyerje të veshura me nuanca pagane dhe antimorale e antifetare.
Lojërat Olimpike dhe sporti në përgjithësi ka shërbyer dhe duhet të shërbejë për komunikim ndërkulturor dhe bashkëndarje të vlerave universale, duke bashkuar kombe e popuj, pavarësisht origjinës, ngjyrës, religjionit, gjuhës dhe kulturës.
Le të jetë kjo një kambanë alarmi për krizën morale dhe etike, ndaj së cilës institucionet zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në shoqëri, të jenë më të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në ruajtjen e moralit dhe vlerave etike e universale për një botë më të mirë se ajo që po trashëgojmë ne sot,” njoftoi KNFSH me një deklaratë për shtyp.
Organizatorët e Lojërave Olimpike në Paris kanë kërkuar ndjesë për pjesën e ceremonisë që mund të fyejë besimtarët, por edhe artdashësit – siç ishte pjesa e ceremonisë kur portretizohet Dionisi, perëndia e verës, duke festuar së bashku me perënditë e tjera greke. Tomas Xholi (o. Thomas Jolly), drejtuesi i ceremonisë hapëse të Lojërave, tha për televizionin francez BFMTV se “Darka e fundit” nuk ishte marrë për referencë faktikisht, ndërsa ideja me Dionisin ishte “e një feste të madhe pagane… pa dashur të fyejmë askënd”.