Këshilli për Integrimin, ambasadori i BE: Të zgjidhen me urgjencë Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Zgjerim
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka kërkuar në mënyrë “urgjente” emërimin e Avokatit të ri të Popullit dhe Komisionerit për Zgjerim, pasi mandati i atyre aktual ka përfunduar.
Në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian, Gonzato tha se emërimi i tyre është i vonuar, duke kërkuar vullnet politik për zgjidhjen e ngërçeve të mundshme.
“Ne vijojmë me monitorimin e reformës në drejtësi, zbatimin e saj. Ka disa çështje që kërkojnë vëmendjen tonë. Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore sepse çështjet e mbartura në gjykata kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe ne kemi sjellë nevojën për një udhërrëfyes sesi mund të ulet numri i çështjeve të prapambetura. Pavarësia e gjyqësorit është themelore që fillon me një sistem të fortë vetëqeverisës.
Kjo duhet aplikuar në të gjitha nivelet e drejtësisë, përfshirë edhe emërimet e anëtarëve që nuk vijnë nga sistemi gjyqësor. Transparenca, meritokracia dhe integriteti i të gjithë kandidatëve duhet të sigurohet. Ne presim jo vetëm punë të fortë, por edhe vullnet të fortë politikë që të tejkalohen bllokimet e ndryshme potenciale që ekzistojnë dhe kjo është urgjente sepse mandati i dy krerëve ka mbaruar tashmë në vitin 2023. Ka nevojë urgjente nga Parlamenti për të trajtuar me emërimet tashmë të vonuara të Avokatit të Popullit dhe Komisionerit Anti-Diskriminim që si institucione luajnë një rol të rëndësishëm dhe vonesa e tyre dobëson këto institucione”, u shpreh ai.