KFOR-i në Veri, Rama: Mbështetje nga NATO, politikanë në Prishtinë po manipulojnë me emocionet e qytetarëve
Kryeministri Edi Rama, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ka dhënë arsyet se përse qeveria shqiptare, nuk është në të njëjtën linjë me atë të BE-së.
Nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetin social X (Twitter), kreu i qeverisë shqiptare i mëshon sërish idesë që KFOR-i të marrë në kontrollin në veri, me qëllim që të garantohet siguria e Kosovës.
Rama replikon edhe me disa zëra politikanësh, zyrtarësh në nivele të larta në Prishtinë, lidhur me vendosjen e KFOR-it në veri, ide e cila, sipas tij, është hedhur më parë edhe nga shtetarë të lartë në Prishtinë.
“Në kuadrin e mbështetjes së Shqipërisë për garantimin e sigurisë në veriun e Kosovës dhe marrjen e kontrollit nga KFOR-i, në këtë fazë kur rreziku i përshkallëzimit të konfliktit është alarmant, kemi komunikuar në nivelet më të larta të aleancës euro-atlantike e kemi gjetur një gatishmëri maksimale. Nga ana tjetër u kemi ripërcjellë aleatëve arsyet e moslinjëzimit tonë me deklaratën e fundit të BE-së, duke vazhduar të kërkojmë qëndrimin e tyre publik, lidhur me grupin e armatosur kriminal që vrau efektivin e policisë së Kosovës dhe lidhur me zinë kombëtare në Beograd për pjesëtarët e asgjësuar të atij grupi.”, shkruan Rama.
Rama: Politikanë në Prishtinë po manipulojnë me emocionet e qytetarëve
Por kreu i qeverisë shqiptare ka edhe një mesazh për nivele të ndryshme zyrtare dhe politike në Prishtinë.
Sipas tij, ata, në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”.
“KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi! Unë e thashë qartë dje (të enjten) se këtë kërkesë e ka bërë edhe Presidentja Osmani dhe e shpjegova më tej se kjo që kërkoj sot nuk ka lidhje me atë çka kam shprehur disa muaj më parë, si frikë se mund të ndodhë nëse situata degradon, në mungesë të rezultateve të dialogut. Sepse, siç e shpjegova edhe dje, “nuk jemi akoma aty” dhe që të mos shkohet nesër deri aty, duhet që KFOR-i të marrë në kontroll veriun një orë e më parë.”, shkruan Rama.
Sipas tij, e di çdokush të vërtetën e thjeshtë fare se në çdo rast dhe për çfarëdo nevoje të re operacionale në territorin e Kosovës, KFOR-i i harmonizon veprimet e veta me autoritetet shtetërore të Kosovës e me forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, prandaj është sa e dhimbshme, aq edhe qesharake, që edhe në këtë situatë kaq serioze për sigurinë në veriun e Kosovës, politikanë me profile publike apo me profile fallco në Prishtinë merren me të tilla manipulime të ulëta emocionesh të qytetarëve të tyre, duke deformuar qëllimisht qëndrimet e mia.
“Keqardhje për ta, se për trimat e biznesit politik e mediatik të Tiranës, që janë gati t’ia venë zjarrin vetë Kosovës, bashkë me Shqipërinë për përmbysjen imagjinare të “regjimit” tim, nuk kam asnjë sekondë për të humbur! “- shkruan Rama.