KFOR-i: Nuk kemi negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë në Banjskë

Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka mohuar raportimin e fundit se gjatë sulmit të grupeve paramilitare serbe në Banjskë, më 23 shtator të vitit të kaluar, kishte negociuar tërheqjen e paramilitarëve serbë.

Në sulmin terrorist të grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiq u vra rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe e cenua rëndë sovraniteti, rendi dhe siguria e Republikës së Kosovës.

Lajmi për negocimin për tërheqjen e grupit të paramilitarëve serbë nga ana e zyrtarëve të KFOR-it e tha Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), i cili së fundmi publikoi një raport të titulluar “Veriu i Kosovës: Pranimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”.

Në raportin e tij për sulmin që ndodhi në Banjska, në shtator të vitit 2023, ICG shkruan se “duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit terroristëve serbë, në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”.

Por, KFOR-i të dielën i hodhi poshtë pohime të tilla përmes një deklarate për shtyp. 

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Misioni i NATO-së thotë se dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 ushtarakëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda.

“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në deklaratë.

KFOR-i ka ripërsëritur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i ka rikujtuar se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, e më të cilët ka thënë se punojnë në koordinim të ngushtë.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.