“KFOR-i të marrë në kontroll veriun”, Rama sqaron deklaratën: S’është ushtri pushtuese. Forcat e Kosovës s’mjaftojnë
Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama ka sqaruar kërkesën drejtuar NATO-s, që KFOR-i të marrë kontrollin në veri të Kosovës.
Teksa iu përgjigj akuzave të opozitës se kjo kërkesë do të cenonte sovranitetin e Kosovës, Rama tha deklarata e tij kërkon që KFOR-i të marrë përgjegjësinë absolute për ta vënë në kontroll veriun, gjë që, sipas tij Forcat e Kosovës nuk mund ta bëjnë.
KFOR-i nuk është ushtri pushtuese, u shpreh Rama, teksa theksoi se edhe vetë BE e ka pranuar se numri i forcave aktuale në veri të Kosovës nuk mjaftojnë.
“Kërkesa ime e përsëritur për NATO-n që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado prej nga hynë serbes armatime e drogë. Ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë të pamjaftueshme. E ngatërrojnë me çka unë kam shprehur më parë. Unë flas për përgjegjësinë absolute që KFOR-i duhet të marri për ta vënë në kontroll veriun, gjë që forcat e Kosovës nuk e bëjnë dot. Këtë të forcave të pamjaftueshëm të KFOR-it e kanë thënë publikisht.
Cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri? Si duhet kuptuar sovraniteti aktual ku në atë zonë ndizet dhe shuhet konflikti sipas interesave të grupeve që janë jo vetëm një miks i politikës ultra nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, por gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të varfëruara nga izolimi i banorëve të atjeshëm që ushqehen me lëmoshat e Beogradit, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë sovranitet nuk i paguajnë asnjë taksë e madje nuk i kanë paguar një faturë dritash që nga viti 1999. Ky nuk më duket si shqetësim logjik për sovranitetin e Kosovës, granati i së cilës është prania e NATO-s. KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, por njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës”, tha Rama.