Kievi sulmon Moskën me dronë, Rusia detyrohet të mbyllë tre aeroporte
Ukraina ka lëshuar dhjetëra dronë në drejtim të Moskës, duke e detyruar kryeqytetin rus të mbyllë përkohësisht tri aeroporte, njoftuan zyrtarët rusë të dielën. Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se forcat ruse rrëzuan 32 dronë ukrainas që e sulmuan Moskën gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, gjatë njërit prej sulmeve më të mëdha kundër kryeqytetit prej se forcat e Kremlinit e pushtuan Ukrainën më 2022.
“Sipas të dhënave tona fillestare, nuk ka dëme apo viktima në vendin ku kanë rënë mbetjet e dronëve. Ekipet emergjente janë në vend të ngjarjes”, tha Sobyanin në Telegram. Agjencia federale e transportit ajror e Rusisë, njoftoi se aeroportet Sheremetyevo, Domodedovo dhe Zhukovo kanë ndalur përkohësisht operacionet “për të garantuar siguri për fluturimet e avionëve civilë”, për shkak të sulmeve me dronë.
Rusia raporton për shkatërrimin e dronëve ukrainas pothuajse çdo ditë, por sulmet rrallëherë kanë në shënjestër kryeqytetin. Autoritetet ukrainase kanë deklaruar shpesh se sulmet e tyre me dronë në Rusi synojnë infrastrukturën që është e rëndësishme për përpjekjet e luftës së Moskës dhe janë përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.
Prej fillimit të luftës, Ukraina është përballur me bombardime gjatë natës nga Rusia, e cila, mes tjerash, synim e ka shkatërrimin e infrastrukturës jetike energjetike. Forca Ajrore e Ukrainës tha të dielën se i rrëzoi 62 nga një numër rekord prej 145 dronësh rusë të lëshuar gjatë natës.