“Kievi të ngrejë flamurin e bardhë”, Zelenski i përgjigjet Papës: Po angazhohesh në ndërmjetësim virtual
Qeveria ukrainase është përgjigjur me zemërim dhe është zotuar të mos dorëzohet kurrë pasi Papa Françesku tha se vendi duhet të ketë “guximin për të ngritur flamurin e bardhë” dhe për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë.
“Flamuri ynë është verdheblu. Ky është flamuri me të cilin jetojmë, vdesim dhe mbizotërojmë. Ne kurrë nuk do të ngremë asnjë flamur tjetër”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskiy), tha se Papa po angazhohej në “ndërmjetësim virtual”.
Zelenski nuk iu referua drejtpërdrejt Papa Françeskut apo komenteve të tij, por përmendi figura fetare që ndihmonin brenda Ukrainës.
“Ata na përkrahin me lutje, me diskutimin e tyre dhe me vepra. Kjo është me të vërtetë një kishë me njerëzit. Jo 2500 km larg, diku, ndërmjetësim virtual mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë“, tha Zelenski.
Politikanët dhe komentatorët në Evropë shprehën zemërim pasi Papa dha një intervistë në të cilën ai dukej se qëndronte i heshtur ndaj krimeve të Rusisë si agresor në pushtim dhe vendosi barrën mbi Ukrainën për të bërë paqe.
Kuleba i bëri thirrje Françeskut që të qëndrojë “në anën e së mirës” dhe të mos vendosë Rusinë dhe Ukrainën “në të njëjtën bazë dhe t’i quajë “negociata”.