Kina kërkon dhënien fund të vrasjeve të civilëve në Gaza
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës kundër civilëve në luftën e Izraelit, në Rripin e Gazës, kundër organizatës militante palestineze Hamas.
”Nuk mund të ketë më asnjë justifikim për vazhdimin e konfliktit dhe asnjë justifikim për vrasjen e civilëve”, deklaroi Wang Yi në një konferencë shtypi në kuadër të Kongresit Kombëtar të Popullit në Pekin.
”Të gjithë të burgosurit duhet të lirohen dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë një armëpushim të menjëhershëm”, theksoi ai.
Wang tha se rrethi vicioz i konfliktit izraelito-palestinez mund të prishet vetëm përmes zbatimit të plotë të zgjidhjes me dy shtete dhe drejtësisë për popullin palestinez, duke shkatërruar kështu terrenin për idetë ekstremiste.
Një zgjidhje me dy shtete parashikon bashkëjetesën paqësore të Izraelit dhe një shteti palestinez, bazuar në kufijtë e territoreve palestineze të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967, Bregu Perëndimor, Jerusalemi Lindor dhe Rripi i Gazës.