Kina në vend të parë, lë pas Japoninë për makinat duke eksportuar mbi 4,9 milionë mjete
Kina ka kapërcyer Japoninë, duke u renditur si eksportuesi më i madh në botë i automjeteve në vitin 2023.
Të dhënat e publikuara të mërkurën (31 janar) nga Shoqata Japoneze e Prodhuesve të Automobilave treguan se vitin e kaluar Japonia shiti jashtë vendit 4,42 milionë mjete, ndërkohë që nga Kina u eksportuan 4,91 milionë mjete.
Sipas byrosë kineze të doganave, shifra është edhe më e lartë për prodhuesit vendas, gati 5,22 milionë automjete të shitura përgjatë vitit 2023 ose 57 për qind më shumë nga viti në vit.
Megjithatë Japonia vazhdon të mbajë vendin e parë për sa i përket markës më të shitur jashtë territorit të saj, “Toyota”.
Sektori i automobilave në Kinë ka përjetuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, e ndikuar edhe prej investimeve të mëdha në makinat elektrike, siç është marka BYD, e cila këtë muaj kaloi edhe Tesla-n për shitjet.
Ndërkohë firmat japoneze janë treguar më të kujdesshme në këtë drejtim dhe vijojnë të këmbëngulin te prodhimi i makinave hibride me bateri dhe motor tradicional me djegie të brendshme. /CNA