Kisha e Shën Rrokut, trashëgimi historike e kulturore e Shkodrës
Skuadra e DRTK Shkodër po punon për rilevimin dhe dokumentimin e Kishës së Shën Rrokut në Shirokë, objekt me rëndësi kulturore si një përpjekje e rëndësishme për të dokumentuar dhe ruajtur trashëgiminë historike të qytetit me qëllim shpalljen e saj si interes kulturor.
Projekti i kishës së Shën Rrokut iu besua Kolë Idromenos, arkitektit të njohur shkodran të asaj kohe. Kisha me stil klasik rilindas, u realizua në 1906. Ajo u ndërtua nën kujdesin e famullitarit të Shirokës, Dom Gjon Bushatit, ndërsa kambanarja nën kujdesin e Dom Pashko Zojzit.
Për ndërtimin e këtyre objekteve krahas ndihmës financiare të familjeve të pasura, ndihmuan me punë vullnetare edhe vetë shirokasit.
Kisha, sipas folkloristit Gjush Sheldia, “ishte e bukur, simpatike dhe mjaft e madhe si ma e mira kishëz e qytetit, se ma ndër katunde nuk e ka çiftin askund..”
Në vitin 1967 mes 268 kishave të mbyllura ishte edhe ajo e Shirokës. Kisha, u shndërrua në qëndër kulture dhe magazinë. U ndërtua një soletë që e ndante kishën në dy kate dhe një shkallë lidhëse për t’u ngjitur në katin e sipërm që shërbente, si një sallon i madh për festa apo dhe mbledhje partie. Në katin e poshtëm u krijuan 8 dhoma, që shërbenin si qendër për grumbullimin e sherebelës, me të cilën është i pasur mali i Taraboshit. Kompanjeli me 4 këmbana dhe sahat, i lartë rreth 30 m u shëmb. Vetëm në 1991 kisha iu kthye komunitetit katolik të zonës.