Kistet në veshka, mjeku Shtiza: Janë gjenetike. Diagnoza kur janë fetuse, e vështirë
Shumica e njerëzve vuajnë nga problemet me veshkat, por jo të gjitha sëmundjet që lidhen me to janë të kurueshme. Për shefin e shërbimit të Nefrologjizë dhe Dializës Pediatrike, Diamant Shtiza problemet më të vështira dhe fatkeqësisht ende të pa kurueshme janë kistet në veshka. Në një intervistë për “mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, mjeku nefrolog Shtiza u shpreh se kistet në veshka janë një sëmundje e rrallë dhe se ndodh për shkak të gjenetikës.
Ai sqaroi se këto kiste mund të diagnostikohen që kur lind fëmija, nëse ai e ka të trashëguar genin me probleme apo jo.
“Ne i ndajmë në dy grupe: sëmundjet gjenetike dhe sëmundjet e fituara. Në sëmundjet gjenetike i ndajmë në gjenetike që burojnë nga dëmtimet e vetë veshkës dhe ndryshime gjenetike të anomalive anatomike që paraqesin defekte në shkarkimin e urinës nga veshkat në fshikëzën urinare. Në infeksionet urinare futen te pjesët e fituara. Kistet në veshka futen te grupi i sëmundjeve gjenetike. Është sëmundje e rrallë 1/1000. Kistet e veshkave krijohen nga bazat gjenetike, i quajmë mutacione, ndryshimet që ndodhin në gjenet e trashëguara kryesisht nga prindërit. Kjo është një gjë që nuk mund të parandalohet. Pjesa gjenetike është e ardhmja e mjekësisë. Në vitet në vijim do jetë gjenetika: përcaktimi i shkaqeve dhe ndërhyrja ose jo te gjenet për të parandaluar këto sëmundje. Kistet e veshkave i ndajmë në formën dominante dhe recesive.
Diagnoza e kisteve në barkun e nënës është pak më e vështirë për t’u bërë dhe kur lind fëmija e kemi më të thjeshtë përmes ekzaminimeve. Shkaqet kryesore janë shkaqet gjenetike: trashëgimi i mutacioneve, deformimeve, ndryshimit të genit tek njeriu i cili çon në formimin e kisteve. Ndonjëherë vetëformohet edhe nga imuniteti. Këtë e vërtetojmë përmes analizave gjenetike, ku ne i ndajmë njerëzit në: njerëz mbartës, të cilët e mbartin genin dhe mund ta transmetojnë më vonë; ose në genin e sëmurë me këto ndryshimet përkatëse”, tha mjeku.
Arsyet kryesore pse shfaqen problemet me veshkat apo krijimin e kisteve është hipertensioni dhe infeksionet urinare, të cilat sipas mjekut duhen trajtuar në kohë që të mos japin probleme permanente tek veshkat.
“Rrisku kryesor që njihet nga kistet e veshkave është hipertensioni. Edhe fëmijët dhe të rriturit. Risku i dytë është dëmtimi i strukturës së veshkës. Me kalimin e viteve për shkak të gjenetikës dhe infeksioneve të ndryshme, mund të kemi dëmtim të veshkës. Nëse do ketë 70% dëmtim të tyre fillon ajo që quhet insuficienca renale, ose veshka nuk është në gjendje të kryejë punën e saj. Këtu ndërhyn me mjekime për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm që mund të çojë këtë fëmijë deri në dializë në fazën finale për të bërë transplantin e veshkës. Pika delikate është që ka risk për jetën e tyre , dhe pika më e vështirë është që nuk ka një trajtim specifik për to. Edhe kisteve nuk u bëjmë dot gjë, ndjekim ecurinë e kisteve, veshkës, por pa ndryshuar dot rrjedhën e kisteve. Gjë që do të thotë, që në një moshë të caktuar, njerëzit që kanë kiste jetojnë nga mosha 53 deri në 70 vjeç. Në këtë fazë moshe ata përfundojnë në dializë dhe transplant renal”, u shpreh mjeku.