Kledi Kadiu: Festivali i Këngës në RTSH, i paharrueshëm
Për 4 netë me radhë, Pallati i Kongreseve, i cili është kthyer në një simbol të kulturës muzikore, u shndërrua në qendrën e vëmendjes ku artistë të shumtë u ngjitën në skenën e tij për të interpretuar drejtpërdrejtë me orkestrën e RTSH-së në edicionin e 62-të të Festivalit të Këngës.
Këtë vit, një nga prezantuesit që ka lënë mbresa te publiku ishte balerini i njohur, Kledi Kadiu. Ai bëri një paraqitje të shkëlqyer gjatë netëve të Festivalit, ndërsa në një status në rrjetet sociale, Kledi tregon emocionet që përjetoi me drejtimin e Festivalit të 62-të.
“Doja t’ju falënderoja edhe një herë për mbështetjen tuaj që i bëri 4 mbrëmjet e Festivalit të 62 Këngës të paharrueshme dhe jam vërtet mirënjohës që jam i rrethuar nga një publik kaq pasionant dhe mikpritës.
Faleminderit shumë që e bëtë praninë time jashtëzakonisht emocionuese dhe për ngrohtësinë dhe dashurinë tuaj të sinqertë që ndatë bujarisht me mua. Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve!”, shkruan Kledi Kadiu.