Koçiu: 34 qendra shëndetësore verore në zona me fluks të lartë turistësh
Turistëve vendas e të huaj në të gjithë vendin do t’iu ofrohet shërbim në 34 qendra shëndetësore verore.
Qendrat shëndetësore do të hapen nga 1 qershori deri në 30 shtator dhe do të jenë të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil.
Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “duke filluar nga data 1 qershor, për të përballuar fluksin e shtuar të turistëve, do të çelen 34 qendra shëndetësore verore 24/7 të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil”.
Ndërkohë që qendrat e reja verore, që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë.
Në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera. Urgjenca do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike. Ndërsa për herë të parë do të shërbejnë në këtë sezon motoambulancat.
MSHMS ka nisur punën edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë, që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7. Janë 200 pozicione pune për personel mjekësor dhe staf mbështetës të hapura nga MSHMS.