Koçiu: Objektivi për mbulimin universal, përparësi e politikës sonë për shëndetësinë

8mjeke1

8mjeke1

 “Për ne objektivi për mbulimin universal mbetet përparësia numër një e politikës sonë për shëndetësinë”, theksoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Në fjalën e saj në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ku po shqyrtohet në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2024” të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Koçiu tha se “në këtë linjë, në vitin 2024, buxheti i ri për MSHMS do të mbështesë 6,4 milionë vizita në kujdesin parësor (mjeku i familjes) për vitin 2024; realizimin e rreth 4.4 milionë ekzaminimeve laboratorike falas; kontrollin Mjekësor Bazë (check-up) për pothuajse gjysmë milionë qytetarë të moshës 35-70 vjeç, mes të cilëve edhe rreth 280-300 mijë gra”.

Sipas Koçiut, do të mbështeten 360 mijë qytetarë që parashikohet të kenë nevojë të trajtohen në spitale dhe 400 mijë pacientë, të cilët do të trajtohen me recetë rimbursimi nga mjeku i familjes.

“Po ashtu do të mbështeten 250 mijë vaksinime kundër gripit sezonal. Gjatë sezonit 2022-23, vaksina mbuloi me sukses 94% të grupeve të riskut dhe është qëllimi ynë që të përmirësohemi edhe më tej në periudhën 2023-24”, nënvizoi Koçiu.

Sa i përket listës së barnave të rimbursueshme, Koçiu u shpreh se “është zgjeruar duke përfshirë në total 1210 medikamente. Mbi 400 mijë qytetarë përfitojnë si rrjedhojë barna falas”.

Ndërkohë, shtoi ajo, numri i personave që përfitojnë nga fishat e rimbursueshme të diabetit në vitin 2024 parashikohet në shifrën 54,000 pacientë nga 47,700 pacientë në vitin 2023.

“Parashikohen të trajtohen rreth 1442 pacientë me hemodializë falas. Hemodializa, e cila deri pak vite më parë kishte kosto thuajse të papërballueshme dhe ofrohej vetëm në Tiranë, tashmë ofrohet pa pagesë në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, Gjirokastër. 220,000 depistime të shikimit dhe kujdesit dentar dedikuar fëmijëve, programe të cilat kanë filluar në vitin 2023 për herë të parë.Vaksinimin e 190,000 fëmijëve të grupmoshës 0-18 vjeç”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri të ditur se buxheti 2024 mbështet gjithashtu dy programet madhore të depistimit kombëtar, atë të Kancerit të Gjirit dhe Kancerit të Qafës së Mitrës, dy shkaqet kryesore të vdekshmërisë së parakohshme tek gratë.

“Mes të tjerash mbështet gjithashtu rreth 10 mijë pacientë që do të përfitojnë nga paketat kardiologjike dhe kardiologjike falas, 4 mijë të tjerë nga paketa e kataraktës dhe radioterapisë, rreth 1 mijë që parashikohet të marrin shërbim në spitalet psikiatrike, dhe për fëmijët me probleme të thella dëgjimi të mundet të përfitojnë falas ndërhyrje të implantit koklear etj”, tha Koçiu.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.