Kodi i ri Penal/ Drafti përfshin praktikat më të mira penale të shteteve të Evropës
Ministria e Drejtësisë pritet të ketë së shpejti në tavolinë draftin e propozuar për ndryshimet e reja në Kodin Penal, që vijnë 28 vite pas miratimit në janar të vitit 1995 të Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë.
Këtë të enjte grupi i punës, i udhëhequr nga profesor Arben Rakipi, ka prezantuar draftin e përgatitur para ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në Pogradec, aty ku ekspertët kanë qëndruar përgjatë kësaj kohe.
Vit pas viti kodi penal ka pësuar mbi 30 herë ndryshime përmes amendimeve dhe shtesave të vazhdueshme në përgjigje të nevojës së tranzicionit shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Nga 362 nene në kohën e miratimit, Kodi Penal ka sot ka mbi 600 nene, ku është konstatuar mungesë e harmonizimit të përmbajtjes së Kodit Penal, veçanërisht për sa i përket llojeve dhe masave të dënimeve për çdo vepër penale bazuar në rrezikshmërinë e saj. Ndryshimet e reja pritet të prekin të gjitha fushat.
Ministria e drejtësisë bën të ditur se në draft janë përfshirë praktikat më mira penale të shteteve të Evropës, akteve ndërkombëtare ku Shqipëria aderon prej vitesh, si dhe standardet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës së Lartë.