Kodi i ri Penal-Manja: Drafti për konsultim publik në fillim të 2024, një prej hapave më të rëndësishëm
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka deklaruar se Kodi i ri Penal, drafti i të cilit do i nënshtrohet konsultimit publik në fillim të vitit 2024, është një prej hapave më të rëndësishëm.
Sa i përket ndryshimeve ligjore, Manja u shpreh se busulla mbetet ruajtja dhe avancimi i qasjes inovatore që Kushtetuta përqafoi me vendosjen si taban kushtetues, standardet e konventës evropiane të të drejtave të njeriut.
Ministri garantoi se parashikimet e reja lidjore do adresojnë kategoritë e veprave penale me ndjeshmëri të lartë sociale dhe pasoja të shtuara për shoqërinë.
“Legjislacioni të ndjekë hapin e kohës. Kodi I ri penal, drafti I të cilit me fillimin e vitit të ri do i nënshtrohet konsultimit publik, një prej hapave më të rëndësishëm. Do garantojmë se parashikimet e reja ligjore, të adresojnë me përqasje të përforcuar ndëshkuese të gjitha kategoritë e veprave penale me ndjeshmëri të lartë sociale dhe pasoja të shtuara për shoqërinë, si për shembull: dhuna në familje apo dhuna me bazë gjinore.
Sot lind nevoja të ndryshojmë disa dënime drejt një qasje më pak represive për veprat penale që sjellin pasoja të lehta, duke marrë në konsideratë edhe përvojat më të mira të vendeve të BE-së. Këto ndryshime ligjore e të tjera të planifikuara në vijim, busulla jonë mbetet ruajtja dhe avancimi i qasjes inovatore që Kushtetuta jonë përqafoi me vendosjen si taban kushtetues standardet e konventës evropiane të të drejtave të njeriut”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit.