Kodi Zgjedhor-PD dorëzon në Kuvend amendamentet/ Bylykbashi: Zgjeron të drejtën e votës për diasporën
Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend amendamentet për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Pas dorëzimit në Kuvend të amendamenteve, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashki, në një konferencë për media, së bashku me sekretarin për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso theksuan se amendamentet do të ndryshojnë rregullat për identifikimin e zgjedhësve në procesin e votimit.
“Siç ju jeni në dijeni, Partia Demokratike, deputetët e saj kanë dorëzuar zyrtarisht në parlament amendamente të cilat ndryshojnë rregullat për identifikimin e zgjedhësve në procesin e votimit, kjo jo vetëm me ndikim për ata që votojnë në Shqipëri, por mbi të gjitha me ndikim të jashtëzakonshëm në zgjerimin efektiv, maksimal të të drejtës së votës së atyre që votojnë nga jashtë Shqipërisë”, u shpreh Bylykbashi.
Ai theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një situatë kritike, ndërsa shpjegoi se vendi ka ‘në regjistrat e saj të gjendjes civile. 4 milionë e 700 mijë shtetas, prej këtyre, 3.7 milionë shtetas me të drejtë vote’
“Që kjo të kuptohet më qartë, se përpara jemi përballë një situate jo vetëm të rëndësishme, por edhe kritike për zgjidhje tani, unë jam i detyruar t’ju jap disa shifra të cilat shpeshherë dalin jashtë fokusit të debatit të përditshëm.
Republika e Shqipërisë ka në regjistrat e saj të gjendjes civile, pra në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, rreth 4 milionë e 700 mijë shtetas nga 0 deri në sa vjeç jetojnë, pra janë 4 milionë e 700 mijë shtetas shqiptarë. Prej këtyre, zyrtarisht në këtë moment janë 3.7 milionë shtetas me të drejtë vote. Pra janë mbi 18 vjeç.
Më datë 11 maj, 3.7 milionë shtetas kanë të drejtën e votës, pra rreth 1 milion janë në moshën 0 deri në 18 dhe nuk votojnë. Pra këta 3 milionë e 700 mijë shtetas janë rreth 79% e shtetasve shqiptarë me të drejtë vote.
Në Republikën e Shqipërisë, sipas censusit dhe të dhënave zyrtare të deklaruara çdo vit nga INSTAT për censusin e fundit, në gjykimin tonë janë të dhëna të manipuluara dhe jo të vërteta. Kjo shifër është 2.4 milionë, pra shtetas shqiptarë nga 0 deri në 18 vjeç dhe mbi 18 vjeç, janë 2.4 milionë persona që jetojnë në Shqipëri“, tha Bylykbashi.