Koha për të thënë lamtumirë! Shuhet Zef Deda, legjenda e humorit shkodran
Jo vetëm Shkodra, arti, por edhe Shqipëria, ndodhet në zi. Zef Deda, aktori i famshëm i humorit ka ndërruar jetë, duke lënë pas një boshllëk të madh jo vetëm për Shkodrën në veçanti, por edhe për artin në përgjithësi. Batutat, plastika, gjestikulacioni, si edhe timbri i veçantë, e bënë atë një figurë të dashur për të gjitha familjet shqiptare ndër vite, por edhe një shembull të artit serioz edhe për brezat që vijnë.
Koha për të thënë lamtumirë fizikisht, por profili i tij nuk do jetë një memorje që do të shuhet.
Mjeshtri i madh i humorit, Zef Deda ka mbyllur sytë përgjithmonë, për t’u drejtuar nesër (25 nëntor) drejt banesës së fundit. Deda u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa koësh.
Deda ishte një prej komedianëve më të mirë të vendit, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 dhe është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Deda ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës.
Talenti i tij spikati që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arriti të realizonte qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran. Pas një shkeputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdoi me shumë sukses.
Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën dhe prej martesës së tyre lindën dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda.
Rolet kryesore:
- Kunati i shokut Xhemal;
- Kola i dritave;
- Charlie Chaplin (imitim);
- Kushëriri nga Amerika;
- Altini (altufi) dhjetëra emisione për fëmijë;
- Gjurmë në kaltërsi etj.