KOLË IDROMENO, ARTISTI SHUMËDIMENSIONAL/ Ai njihet si projektuesi i Shkodrës evropiane
Gjurmët e tij gjenden kudo në Shkodër edhe në ditët e sotme. Mjafton një vizitë në zonën muzeale të qytet, e cila mban emrin e projektuesit të saj Kolë Idromeno. Për këtë figurë është shkruar shumë dhe një prej tyre është Gjon Stefa, i cili në librin “Oazi i Artë i Gjuhadolit” trajton gjerësisht këtë personalitet.
Gjon Stefa veçon artet e bukura dhe rolin që Idromeno pati në projektimin e Shkodrës europiane.
Përveçse piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane, Idromeno ishte themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX.
Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.