Kombëtarja, stërvitja për Moldavinë / Kryeministri Rama vizitë dhe mbështetje për Kombëtaren kuqezi
Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet e fundit në grupin E, ato ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Përqëndrimi kryesor është tek anti-Moldavia, pasi një rezultat pozitiv në këtë ndeshje, përfshirë edhe barazimin e çon Shqipërinë në finalet e Europiani 2024. Atmosferës entuziaste që ka përfshirë kuqezinjtë, i është shtuar edhe vizita që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka zhvilluar me ekipin kombëtar.
Krahas premtimit për një rezultat pozitiv dhe kualifikim në finalet e Europianit, “Gjermani 2024”, kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti i ka dhuruar fanelën e tij me numër 6, kryeministrit Rama, i cili krahas përkujdesjes si kreu i qeverisë, shfaqet vazhdimisht me familjen e tij në stadium, edhe një tifoz i përhershëm në ndeshjet e kuqezinjëve.