Kombëtarja U15, dy barazime me Kosovën, shkëlqen shkodrani i Udinezes, 14 vjeçari Alessio Gjergji
Kombëtarja e Shqipërisë U-15 e drejtuar nga trajneri Armand Damo ka zhvilluar dy ndeshje miqësore me Kombëtaren e Kosovës, ballafaqime këto që janë në funksion të përgatitjeve dhe kolaudimit të formacionit të parë në prag të ndeshjeve zyrtare për kualifikueset Europiane. Miqësore këto që përfunduan në barazim, 0 me 0 e para dhe 2 me 2, e dyta. Krahas kontigjentit të futbollistëve nga kampionati shqiptar dhe ekipet e tjera, për këto dy përballje trajneri Damo kishte thirrur edhe futbollistin shkodran Alessio Gjergji, i cili luan në kampionatin e moshave në Itali, me Udinezen. Alessio në fakt ka lindur në Itali, aty ku prindërit e tij kanë emigruar prej vitesh, dhe hapat e parë janë shumë domethënës, pasi i inkuadruar në ekipin e Udinezes ka marrë menjëherë pëlqimin e specialistëve të futbollit Italian. I tillë është shfaqur Alessio Gjergji edhe në dy ndeshjet miqësore të kësaj grupmoshe të organizuar këto ditë përballë kombëtares së Kosovës. Në të dyja këto miqësore të luajtura në stadiumin “Kukës Arena”, Gjergji luajti si titullar në formacionin kuqezi duke spikatur në pozicionin e qëndërmbrojtësit. Të dhënat e tij, i gjatë 1 metër dhe 84 centimetër, me datëlindjen 2010, konsiderohen shumë të rëndësishme për perspektiven e Alessio Gjergjit. Ka qënë kjo arsyeja, që pas miqësores së dytë, drejtori teknik i ekipeve kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, italiani Fulvio Pea, është parë të komunikojë prej së afërmi me vetë futbollistin duke shprehur interesin e tij dhe institucionit që përfaqëson rreth të ardhmes së 14- vjeçarit me origjinë nga Shkodra, Alessio Gjergji.