Kombëtarja vijon serinë e fitoreve / Shqipëria mund Bullgarinë, 2-0, atmosfera festive në skuadër
Kombëtarja e Shqipërisë po kalon momente shumë të mira. Pas suksesit të fitores ndaj Çekisë javën e kaluar për kualifikueset e Europianit 2024, mbrëmë Shqipëria fitoi një tjetër ndeshje. Këtë radhë, mundi Bullgarinë 2-0 në miqësoren luajtur në stadiumin “Air Albania”. Autorë të golave ishin Qazim Laçi dhe Ernest Muçi, futbollistë këto që nuk kanë patur hapësira aktivizimi në ndeshjet e mëparshme nga tekniku Silvinjo, por që këtë radhë, së bashku edhe me disa futbollistë të tjerë, luajtën nga minuta e parë. Për t’u theksuar është se trajneri Sylvinho thërriti për herë të parë në Kombëtare portierin shkodran Alen Sherri, i cili aktivizohet me skuadrën e Egnatias në “Abissnet Superiore”, por që nuk pati minuta për sfidën e djeshme. Fitorja e kësaj ndeshje e ka bërë të ndjehet mirë trajnerin e kombëtares Silvinjo, i cili nuk nguron të komplimentojë futbollistët e tij.
Kjo ishte fitorja e dytë në po aq ndeshje në muajin tetor nga Kombëtarja kuqezi. Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë në nëntor kundër Moldavisë më datë 17 në transfertë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2024”.