Komision/ Hasani: Projektbuxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2024 është rreth 3.2 miliard lekë
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka prezantuar në Komisionin për Politikën e Jashtme projektbuxhetin e ministrisë që ai drejton për vitin 2024. Hasani deklaroi se ka një rritje me 9%, krahasuar me vitin 2023, duke kapur vlerën e rreth 3.2 miliard lekëve. Ministri shtoi se projektbuxheti është hartuar në funksion të aktivitetit diplomatik dhe konsullor.
“Projektbuxheti është hartuar në funksion të aktivitetit diplomatik dhe konsullor. Planifikimi ka në themel objektivat e përcaktuara të Programit të Qeverisë Projektbuxheti i MEPJ për vitin 2024 është rreth 3.2 miliard lekë. Ky buxhet mundëson zbatimin e strategjive, politikave dhe objektivave të shërbimit të jashtëm”, u shpreh ai.
Integrimi evropian do të jetë objektivi kryesor i Ministrisë së Jashtme, sipas Hasanit. Po ashtu, shtoi ministri, në fokus do të jetë edhe modernizimi i shërbimeve konsullore.
“Integrimi Evropian, si drejtim strategjik i Politikës së Jashtme. Konsolidimi i kontributeve dhe rolit aktiv të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare. Marrëdhëniet dypalëshe, si komponent i pazëvendësueshëm për promovimin e interesave të vendit. Forcimi i diplomacisë ekonomike në përmbajtje dhe me mekanizma të reja. Zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës Shqiptare 2021-2025. Në fokus edhe modernizimi i shërbimeve konsullore. Krahasuar me buxhetin e vitit 2023, ka një rritje prej 9%. Shtesa e buxhetit konsiston në rritjen e pagave të personelit të shërbimit të jashtëm. Numri i punonjësve të MEPJ për vitin 2024 do të jetë 561 punonjës”, deklaroi ministri.
Komisioni u zhvillua online, vendim i marrë nga Kryesia e Kuvendit, një ditë pas situatës kaotike të krijuar nga deputetët e opozitës.