Komisioneri për Informim dhe KQZ-apel partive: Kujdes me të dhënat e qytetarëve gjatë fushatës

voto

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi dhe Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kanë bërë thirrje për kujdes gjatë fushatës zgjedhore lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Ata u kërkojnë qytetarëve, partive politike dhe organizatave të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë ligjin për mbrojtjen e këtyre të dhënave gjatë periudhës zgjedhore.

Në deklaratën e përbashkët ata shprehen se shtetasit duhet të informohen qartë për mënyrën se si do të përpunohen të dhënat e tyre, dhe partitë politike mund të mbledhin dhe përpunojnë vetëm informacionet që janë të domosdoshme për regjistrimin e zgjedhësve.

Gjithashtu, të dhënat duhet të mbrohen nga keqpërdorimi dhe nuk mund të përdoren për qëllime të tjera pa lejen e qytetarëve.

“Çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në kritere të qarta ligjore dhe të kuptueshme për shtetasit. Shtetasit duhet të informohen në mënyrë të qartë se si dhe për çfarë qëllimi do të përpunohen të dhënat e tyre. Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të mbledhin dhe të përpunojnë vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme për qëllimet e regjistrimit të zgjedhësve. Të dhënat e mbledhura duhet të mbrohen me masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të parandaluar qasjen e paautorizuar, shkatërrimin ose keqpërdorimin e tyre. Të dhënat e mbledhura për qëllime regjistrimi nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera, si propaganda politike, pa marrjen e pëlqimit të informuar të shtetasit. Partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të jenë të përgjegjshme për çdo shkelje të parimeve të mbrojtjes së të dhënave dhe të jenë të hapura ndaj mbikëqyrjes nga autoritetet kompetente. Zbatimi i parimeve të mbrojtjes së të dhënave personale ndihmon në përforcimin e integritetit të zgjedhjeve dhe ruajtjes së besimit tek proceset demokratike”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në rast se ndodhin shkelje të të dhënave personale, qytetarët mund të ankohen tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke plotësuar formularin e ankesës në faqen zyrtare të institucionit.

Ky proces realizohet duke plotësuar fillimisht formularin e ankesës, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, https://idp.al/ankohu/ e më pas duke e dorëzuar atë përmes postës elektronike info@idp.al, postës zyrtare, si dhe fizikisht pranë zyrave të këtij institucioni.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.