Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve plotëson vakancat e krijuara në 3 këshilla bashkiakë

Ilirjan Celibashi

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në seancën e sotme publike plotësoi vakancat e krijuara në Këshillin e Bashkisë Gramsh, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë “Bindja Demokratike”, Brunilda Gjevori, në Këshillin e Bashkisë Fushë – Arrëz, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialdemokrate , Vjollca Tabakaj dhe në Këshillin e Bashkisë Kurbin, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Aleanca Progresiste “LZHK”, Laurin Sana.
Komisioneri shqyrtoi rezultatet e verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues Sokol Kullolli, kandidat për anëtar në Këshillin e Bashkisë Gramsh, Qarku Elbasan, i propozuar nga subjekti zgjedhor ”Partia e Reformave Demokratike Shqiptare”. Komisioneri konstatoi se Sokol Kullolli nuk përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të anëtarit.
Gjithashtu, u shqyrtua edhe rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues Ferdinand Saraçi, kandidat për Kryetar Bashkie në Bashkinë Rrogozhinë, Qarku Tiranë, për zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 Mars 2022, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike”. Komisioneri vendosi deklarimin e procedurës administrative të përfunduar dhe pa vendim përfundimtar për subjektin vetëdeklarues pasi ka humbur objekti dhe qëllimi i procedurës administrative të filluar përpara ditës së zgjedhjeve.