Komisionet Hetimor, Basha: Rama ka frikë nga e vërteta
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të enjten se “makinacionet e Ramës për t’i pamundësuar opozitës komisionet hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se ai që nuk ka asgjë për të fshehur nuk i trembet transparencës.
“Makinacionet e Edi Ramës për ti pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta. Por transparenca për aferat korruptive ku është zhytur sot qeveria, që po varfëron dhe detyron shqiptarët të largohen do të bëhet me patjetër. Sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive. Kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonat e Edi Ramës nuk e ndalin dot.”, mbyll postimin Basha.