Komisioni “Antikorrupsion” ftesë grupeve parlamentare dhe organeve ligjvënëse për caktimin e ekspertëve
Pas konstituimit, Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, miratoi sot tre projektvendime lidhur me procesin përgatitor për organizimin dhe funksionimin e vet Komisionit, por edhe strukturave që do të ngrihen pranë tij.
Projektvendimet ishin ftesa publike për bashkëpunim.
Ato i drejtoheshin grupeve parlamentare të Kuvendit dhe institucioneve, organeve dhe organizatave që veprojnë brenda sistemit të drejtësisë, për të kontribuar me ekspertizën e tyre në veprimtaritë e nëngrupeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Grupeve të Ekspertëve.
“Këto institucione do të krijojnë nëngrupe me ekspertë të tyre dhe me profesionistë përfaqësues të stafeve të tyre që de të ndihmojnë për hartimin e analizës dhe planin e veprimit dhe propozimet përkatëse për funksionimin e Komisionit”, tha Xhafaj.
Njëkohësisht ai i drejtoi një ftesë publike edhe organeve të medias audiovizive, medias së shkruar, medias online dhe asaj elektronike, për të shprehur interesin për të kontribuar me ekspertizën e tyre në veprimtaritë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Grupeve të Ekspertëve.
Xhafaj tha se kërkesës për bashkëpunim drejtuar institucioneve publike të cilat ushtrojnë funksione në fusha me risk për korrupsion sipas vlerësimeve që bëhen në raportet e KE-së i janë përgjigjur thuajse të gjitha institucionet të cilat kanë përcaktuar përfaqësuesit e tyre që do të veprojnë pranë nëngrupeve të komisionit dhe grupit të ekspertëve që merret me çështjet e korrupsionit.
Këtë javë përmbyllet procesi i kthimit të përgjigjeve nga të gjitha institucionet qeveritare dhe jo qeveritare dhe shumë shpejt do të kemi vendimmarrje për të fomalizuar grupin e ekspertëve me tre nëngrupet dhe sekretariatin teknik.