Komisioni Antikorrupsion, Pirdeni: Me rëndësi forcimi i transparencës dhe llogaridhënies në institucione
Qeverisje e hapur, ishte tema e cila u konsultua me grupet e ekspertëve në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion këtë të premte (6 dhjetor).
Tryeza u fokusuan te transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve ndërsa sollën në vëmendje edhe rekomandimet e tyre në këto fusha.
Teksa dëgjoi raportin e ekspertëve, ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni solli në vëmendje masat për rritje të transparencës dhe llogaridhënies ne institucione.
“Kemi nisur një debat publik që u shndërrua në diskutim dhe dialog institucional përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore. Jemi angazhuar me Zyrën e Komisionerit për të përmirësuar të gjitha programet e transparencës të ministrive të linjës. Është detyrim i institucioneve të administratës publike në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, që t’i bëjë të gjitha raportet publike në formatin e Programit të Transparencës”, tha Pirdeni.
Në përfundim, ministrja theksoi se analiza dhe rekomandimet e grupit të ekspertëve përputhen me zotimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të negociatave, udhërrëfyesit për reformat në administratën publike, si dhe udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës.