Komisioni Hetimor- Tabaku: Dekretimi nga Presidenti, shans i humbur
“Shans i humbur për një ligj konsensual”, e ka komentuar deputetja e PD-së, Jorida Tabaku dekretimin nga Presidenti, Bajram Begaj të ligjit për Komisionet Hetimore.
Sipas saj, dekretimi i ligjit nga Presidenti është një shans i humbur jo vetëm për të pasur një ligj konsensual për të rregulluar funksionet kushtetuese të Kuvendit, por gjithashtu edhe një ligj gjithpërfshirës në shërbim të mekanizmave të balancës dhe kontrollit që ka pushteti legjislativ ndaj atij ekzekutiv.
Ky dekret,- sipas saj,- nuk do të thotë që ligji i miratuar me votat e PS-së nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën.
“Dekretimi nga Presidenti i Ligjit për Komisionet Hetimore është një shans i humbur për të pasur një ligj jo vetëm konsensual për të rregulluar funksionet kushtetuese të Kuvendit por gjithashtu edhe një ligj gjithpërfshirës në shërbim të mekanizmave të balancës dhe kontrollit që ka pushteti legjislativ ndaj atij ekzekutiv. Ky dekret nuk do të thotë aspak që ligji i miratuar me votat e socialistëve nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në antagonizëm të plotë me frymën e integrimit Europian”, ka shkruar ajo në platformën X.