Komisioni i Ligjeve miraton pr.ligjin për bastet online, opozita: Pasojat do jenë të jashtëzakonshme
Projektligji “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” ka marrë 12 vota pro dhe 4 kundër në Komisionin për Çështjet Ligjore.
Projektligji u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët deklaruan se do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë dhe do e monopolizojë tregun.
“Ky projektligj bëhet për interesa të caktuara. Ai që e ka iniciuar, ai që bëri propagandë të madhe, Edi Rama, po e bën për t’ia dhënë disa individëve që u intereson. Kriteret janë diskriminuese, duket që janë për një monopol të caktuar. Pasojat do jenë të jashtëzakonshme.
Imagjinoni kur të lejoni që brenda shtëpisë përmes telefonit të vihen bastet online dhe plagët sociale do të jenë të jashtëzakonshme. Po i bëni për të larguar qytetarët shqiptarë nga Shqipëria,” deklaroi deputeti demokrat Asllan Dogjani.
Kryetarja e komisionit Klotilda Bushka u shpreh se realiteti shqiptar sjell nevojën për marrjen e disa masave. Sipas saj, ky draft ligjor është në përputhje me kuadrin ligjor, ndërsa vuri theksin te nevoja për forcimin e masave.
“Bëhet fjalë vetëm për bastet online. Duhen marrë masa nisur nga nevoja dhe realiteti ku jetojmë. Nëse një aktivitet ndodh në mënyrë të paligjshme dhe ne kemi mbi 5000 raste ku na ndodhin çuarja përpara përgjegjësisë penale të shtetasve na duhet të marrim një masë.
Projektligji vjen në përputhje me kuadrin ligjor. Kërkesa e subjekteve që të mos luajnë persona të familjeve të tyre, vlejnë. Duhet të kemi në konsideratë propozimet e kolegëve se si të forcohen më shumë këto masa për komisionin përgjegjës,” tha kryetarja Bushka.
Gjatë miratimit të projektligjit, një nga deputetët nuk mori pjesë në votim.
Sipas projektligjit, parashikohet vetëm rihapja online e basteve sportive, dhe jo të gjitha basteve siç kanë qenë më parë në pika fizike, ndërsa nga organizatorët do të kërkohet që të derdhin 15% të të ardhurave bruto për Fondin e Posaçëm, fond që do të krijohet për mbështetjen e sportit, artit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit.
31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit e punës për bastet si edhe lojërat e fatit në Shqipëri. Në atë kohë u mbyllën afërsisht 5 mijë subjekte private që zhvillonin aktivitetin.