Komisioni i Medies, seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH
Deputetet në Komisionin e Medies dëgjuan anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar për procedurat e ndjekura në zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm.
Pas dëgjesës, që zgjati disa orë, kryetarja e Komisionit të Medies, Ina Zhupa, u kërkoi anëtarëve të Këshillit Drejtues të zbatojnë kriteret që përcakton ligji për mediet audiovizive.
Edhe deputetët socialistë që përfaqësojnë shumicën në Komisionin e Medies u sugjeruan anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së se nëse do të kenë nevojë për asistencë ligjore në këtë proces, ligjvënësit janë të gatshëm të ndihmojnë.
Kjo seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar u krye pasi më herët deputetët kërkuan informacion zyrtar dhe shpjegues rreth procesit të zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, kandidaturat për të cilin janë dorëzuar deri më 20 janar të këtij viti.