Kuvendi pritet të votojë të enjten (30 maj) për ngritjen e komisionit të posaçëm antikorrupsion, ndërsa është zbardhur edhe projektvendimi. Bëhet me dije se kohëzgjatja e këtij komisioni do të jetë 10 muaj, por në rast nevoje, Kuvendi mund të zgjasë veprimtarinë e tij.
Ky komision do të ketë në përbërje 11 anëtarë, ku 6 do të jenë nga maxhoranca dhe 5 nga opozita. Po ashtu, ky komision nuk do të funksionojë me bashkëdrejtim, por do të udhëhiqet nga parimi i shumicës që merr vendimi.
Kryetari i komisionit do të jetë përfaqësues i shumicës parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari përfaqësues i pakicës parlamentare.
Sipas projektvendimit, qëllimi kryesor i këtij komisioni është koordinimi i një procesi të thelluar reformimi me synim: 1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit.
Objekt i veprimtarisë së tij do të jetë një vlerësim dhe analizë e situatës aktuale në tre fushat e mësipërme dhe hartimin e një plani kombëtar veprimi për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha dhe marrjen e masave konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale.
Po ashtu është parashikuar edhe ngritja e një grupi pune ekspertësh vendas e ndërkombëtar me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike etj..
Do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore “me qëllim konsultimi” me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, Institucionet e sistemit të drejtësisë, institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi, si dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit.
Projekt-vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim: 1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.
Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare.
Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë – pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).
Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Kryetari i komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.
Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.
Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse.
Komisioni i Posaçëm për të garantuar një proces objektiv dhe në standardet më të mira ndërkombëtare dhe plotësisht në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian, fton ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, domosdoshmërisht të aleatëve tanë strategjike, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke krijuar mundësinë dhe pjesëmarrjen aktive të tyre përmes ekipeve të monitorimit dhe asistencës teknike.
Në cilësinë e ekspertëve ndërkombëtare, komisioni mund të ftojë të marrin pjesë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, Prezencës së OSBE-së, USAID, SIDA, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, agjencive të ndryshme të specializuara në fushat përkatëse, si GRECO, OGP etj., si edhe lektorë me karriera të spikatura në vendet partnere të Shqipërisë për fushat e objektit të punës së tij.
Pranë Komisionit të Posaçëm, ngrihet dhe funksionon një sekretariat teknik i përhershëm gjatë gjithë mandatit të komisionit, i përbërë nga këshilltarë/specialistë të Shërbimit Juridik të Kuvendit, administratës publike, juristë të institucioneve të pavarura dhe agjencive ligjzbatuese si edhe juristë të tjerë me përvojë që do të ftohen të kontribuojnë përkohësisht si pjesë e kësaj strukture gjatë mandatit të këtij komisioni. Sekretariati teknik do të shërbejë për të mbështetur Komisionin e Posaçëm dhe grupet e ekspertëve në kryerjen e detyrave të tyre.
Komisioni i Posaçëm, për realizimin e objektit të tij të përcaktuar si më sipër, në bashkëpunim edhe me grupin e ekspertëve, do të organizojë:
▪ Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me: i) Institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë; ii) Institucionet e sistemit të drejtësisë; iii) Institucionet publike të pavarura të krijuara nga Kuvendi; iv) Agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre luftën ndaj korrupsionit, administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo mbikqyrjen e tregut, rregjistrimin e administrimin e pronës etj.; v) Ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse; v) Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit; vi) Pedagogë e studentë; viii) Përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;
▪ Mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme nga struktura të ndryshme shtetërore në funksion të përmbushjes së objektit të tij;
▪ Përfshirjen në këtë proces të opinionit publik dhe veçanërisht të rinisë universitare, nëpërmjet hapësirave të bashkëbisedimit tematik dhe një portali online të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, etj.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim Ambasadorin e BE në Shqipëri,…
Tirana zyrtare ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën…
Katër efektivë të “Shqiponjave”, në policinë e Shkodrës, janë rikthyer në liri pasi u arrestuan…
Dy ndër 10 fëmijë në shkollat e Shkodrës kanë raportuar se bullizohen. Shifrat e studimit…
Shkodra me Fakultet të Shkencave Mjekësore Teknike, analiza e regjitrimeve në të 3 ciklet e…
Dita e Alfabetit është përkujtuar sot nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari. Gjatë hytbes…
This website uses cookies.