Komisioni i Reformës Zgjedhore mblidhet online, seancë dëgjimore me Organizatat e Shoqërisë Civile
Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur online siç ishte parashikuar, pasi herën e fundit anëtarët e saj nuk u lejuan të mblidheshin fizikisht për shkak të bllokimin nga deputetët e grupimit Bardhi-Berisha.
Seanca e sot ka qenë e dedikuar për të dëgjuar konkluzionet, shqetësimet dhe rekomandimet e Organizatave të Shoqërisë Civlie të cilat janë pjesë e çështjeve zgjedhore. Në këtë seancë janë diskutuar rekomandimet e ODIHR-it por edhe shqetësime të ngritura nga organizatat jo qeveritare.
Gjatë fjalës së tij bashkëkryetari i PS, Damian Gjiknuri tha se çdo organizatë ka 15 minuta kohë në dispozicion për të bërë rekomandimet e tyre por edhe ngritur pyetje mbi shqetësimet që kanë lidhur me Reformën Zgjedhore.
“Sot flasin organizatat jo qeveritare që kanë qenë gjithmonë pjesë aktive e procesit të zgjedhjeve dhe reformës zgjedhore dhe duan të jenë pjesë e diskutimit. Kemi menduar që afati i limituar për çdo pjesëmarrës të mos i kalojë 15 minuta për të adresuar rekomandimet e ODIHR”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër bashkëkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj kërkoi ndjesë që kjo mbledhje nuk po zhvillohet fizikisht por online për shkak të bllokimeve që bënë një pjesë të deputetëve të opozitës
“Do ju kërkoja ndjesë për mos zhvillimin për arsye që dihen të kësaj mbledhje të disa ditëve më parë. Do u japim mundësinë optimale që të shprehni të gjithë këndvështrimet tuaj mbi rekomandimet e ODIHR ose çështje të tjera që janë konstatuar nga eksperienca juaj. E mira do të ishte që përveç përshkrimit të asaj që ju mendoni të depozitoni në formë të shkruar edhe materialet që do të prodhoni gjatë kësaj periudhë”, tha Alibeaj.
Më 6 shkurt mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore dështoi pasi u bllokua sërish nga deputetët e Rithemelimit, të cilët kanë hyrë në sallë duke zënë karriget dhe mos lejuar bashkëkryetarin e komisionit Damian Gjiknuri që të hyjë brenda. Ndërsa bashkëkryetari dhe anëtarët e PD nuk u shfaqën fare në sallën ku do mblidhej komisioni.