Kompanitë ajrore në SHBA, Europë pezullojnë fluturimet drejt Izraelit
Disa kompani ajrore njoftuan në fundjavë se kanë pezulluar fluturimet drejt Izraelit dhe Libanit për arsye sigurie dhe në vazhdën e tensioneve të ditëve të fundit, të nxitura më tej nga Irani.
Kompania “United Arlines” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se nuk do të ketë fluturimet e përjavshme deri në datën 6 gusht. Më herët edhe “US Delta Airlines” pezulloi fluturimet drejt Izraelit.
Britanikët e “British Airways” e dhanë njoftimin të mërkurën.
“Lufthansa”, kompania gjermane e fluturimeve, po ashtu njoftoi se nuk do të mundësojë udhëtimet drejt Bejrutit dhe Tel-Avivit deri në datat 8 gusht dhe 12 gusht, përkatësisht.
“ITA Airways”, kompania kombëtare e Italisë, dhe “Swiss International Airlines” po ashtu kanë pezulluar fluturimet për në Tel-Aviv deri në datën 6 dhe 8 gusht, përkatësisht, për të garantuar sigurinë e ekuipazhit dhe të pasagjerëve.
Pezullimet i paraprijnë përplasjeve të mundshme dhe zgjerimit të konfliktit midis Izraelit nga njëra anë dhe Iranit, grupit libanez Hezbollah dhe palestinezët e Hamasit, nga ana tjetër.
Të martën Izraeli deklaroi se ka vrarë komandantin e Hezbollahut, Fuad Shukr, ndërsa grupi palestinez Hamas dhe Irani e kanë akuzuar Tel-Avivin edhe për vrasjen e Ismail Hanijehut në kryeqytetin iranian ditën e mërkurë.
Hamasi dhe Irani kanë premtuar se do të hakmerren për vrasjen e liderit palestinez, ndërsa Hezbollahu po ashtu është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndaj vrasjes së Shukrit. /AA