Gjykata Kushtetuese rrëzuar ankimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, që kërkonte shfuqizimin e zbatimit të disa ligjeve të miratuara nga qeveria, që lidheshin me kompensimin e pronave.
Komuniteti Mysliman kundërshtonte metodologjinë e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral.
Por Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të çështjes, ka lënë në fuqi ligjin e kompensimit të pronave të vitit 2022 të miratuar nga qeveria,
“Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës, në përfundim të shqyrtimit të çështjes sot, më 13.02.2024, me shumicë votash dhe njëzëri për një pretendim, vendosi rrëzimin e kërkesës.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Kërkesat e KMSH dhe argumentet e Kushtetueses që rrëzuan padinë
Komuniteti Mysliman ka kërkuar shfuqizimin si antikushtetues të nenit 1, pika 2, të ligjit, duke përcaktuar se për vendimet e kompensimit, të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, nga periudha e njohjes së të drejtës për kompensim deri në datën e publikimit, subjektet e shpronësuara do të përfitojnë indeksimin, sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes së tij në fuqi, duke pretenduar se ky parashikim cënon parimin e sigurisë juridike.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se neni 6, pika 7, i ligjit përmban dy koncepte, indeksimin sipas normës së inflacionit dhe llogaritjen e interesit bankar për vonesat në ekzekutimin e pagesës së kompensimit financiar.
“Gjykata vlerëson se të dyja këto koncepte përmbushin detyrimin e shtetit për shpërblimin e drejtë. Gjykata e vlerësoi nenin e mësipërm, i cili përcakton qartësisht se llogaritja e interesave bëhet deri në ditën e ekzekutimit të vendimit të kompensimit, pra deri në marrjen e shpërblimit.”, thuhet në vendimin e GJK.
Kërkuesi ka kërkuar, gjithashtu, shfuqizimin si antikushtetues të pikës 1 të nenit 2 të ligjit duke pretenduar se bien ndesh me parimin e sigurisë juridike, të drejtën e pronës private dhe shpërblimin e drejtë të saj, si dhe parimin e barazisë përpara ligjit dhe të mosdiskriminimit.
Në lidhje me këto pretendime, Gjykata vëren, fillimisht, se ndryshimet e miratuara erdhën si rezultat i vendimmarrjes së kësaj Gjykate nr. 4, datë 15.02.2021 dhe vendimmarrjes së GJEDNJ-së në çështjen Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë të datës 17.03.2020, në vijim të të cilave ligjvënësi duhej të merrte masa për të rregulluar legjislacionin në fuqi për trajtimin e pronës me qëllim që të garantohej shpërblimi i drejtë i pronës në pragun minimal prej 10% të vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, në rastet kur zëri kadastral i saj kishte pësuar ndryshime.
Në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se ndryshimet e bëra nga ligjvënësi përmes dispozitave të kundërshtuara kanë marrë parasysh këto vendimmarrje dhe garantojnë shpërblimin e drejtë të pronës, sipas nenit 41 të Kushtetutës.
Me të njëjtat argumente si më lart kërkuesi ka kërkuar edhe shfuqizimin si antikushtetues të nenit 2, pika 2, të ligjit.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata vlerësoi se ky parashikim ligjor jep garanci akoma më të larta, pasi garanton një shpërblim më të lartë sesa pragu minimal prej 10%, duke e ruajtur 10%-shin si standard minimal të kompensimit të përcaktuar nga GJEDNJ-ja, në çështjen Beshiri, etj. kundër Shqipërisë.
Për sa i përket kërkimit në lidhje me shfuqizimin e pikës 2 të VKM-së, kërkuesi ka pretenduar cënimin e parimit të sigurisë juridike, së drejtës për pronën private, së drejtës për shpërblim të drejtë, parimit të proporcionalitetit dhe parimit të barazisë përpara ligjit e mosdiskriminimit.
Gjykata konstatoi se pika 2 e VKM-së, ka pasqyruar me të njëjtën përmbajtje ndryshimet në formulën e përllogaritjes së kompensimit të parashikuar në ligj.
Për sa kohë, kjo e fundit nuk u gjet në papajtueshmëri me Kushtetutën, Gjykata vlerësoi se edhe kjo dispozitë e VKM-së nuk bie ndesh me Kushtetutën.
“Këshilli i Ministrave është i autorizuar të përcaktojë rregullat dhe procedurat e shpërndarjes së kompensimit, radhën e përparësisë ndërmjet formave të kompensimit, si dhe rregullat për kompensimin nëpërmjet një ose disa formave bashkërisht, përmban delegimin e nevojshëm për rregullimin e parashikuar, në lidhje me kompensimin përmes dy formave, atij financiar dhe fizik.”, shpjegon GJ.
Padia e KMSH-së
Tre muaj më parë Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e disa ligjeve të miratuara nga qeveria, që lidheshin me kompensimin e pronave.
Shkak u bë një ankesë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në Kushtuese, e cila ka pranuar kërkesën duke e kaluar për gjykim deri në një vendim përfundimtar.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mori në shqyrtim çështjen me kërkues Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili kërkonte shfuqizimin e disa pikave të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Shfuqizimi kërkohej edhe për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Gjithashtu, kërkohej edhe shfuqizimi i pikës 8 të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave.
Çfarë kundërshtonte Komuniteti Mysliman
Përllogaritja e vlerës së pronës me çmimin në kohën kur është bërë shpronësimi, duket se ishte edhe pika e përplasjes midis KMSH dhe qeverisë, që detyroi Komunitetin Mysliman të ‘trokiste’ në derën e Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin nr.223, datë 23.3.2016, të Këshillit të Ministrave, parashikohet që Agjencia e Trajtimit të Pronave për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme:
a) Llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit;
b) Llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave; Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit;
c) Vlerës së pronës së kthyer, i zbritet vlera e pronës së njohur për kompensim;
ç) Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me diferencën që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.”.
“ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerëson financiarisht vendimet, duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën e vlerës, sipas rregullave të mëposhtme:
a) Llogaritet vlera e pronës së njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral aktual;
b) Llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave; Vlera e pronës së kthyer llogaritet si diferencë që rezulton ndërmjet vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit;
c) Vlera e pronës së kthyer, e llogaritur i zbritet vlerës së pronës së njohur për kompensim;
ç) Në rastet kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është e barabartë me zero lekë dhe subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar, që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, është i barabartë me 10 për qind të diferencës që rezulton duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim;
ç) Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur sipas kësaj pike, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.”, thuhej në vendim.
ATP-ja, për efekt të kompensimit dhe të ekzekutimit të vendimeve përfundimtare, që kanë njohur vetëm të drejtën për kompensim, vlerëson financiarisht vendimet, kur nuk ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit.
“Kur ka ndryshuar zëri kadastral i pronës së njohur për kompensim, vlera e pronës llogaritet duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Subjekti i shpronësuar kompensohet në masën 10 për qind të vlerës së pronës, sipas zërit kadastral actual. Përjashtimisht, kur vlerësimi financiar sipas zërit kadastral, që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, është më i madh se 10 për qind e vlerës së pronës së llogaritur, subjekti i shpronësuar kompensohet me vlerën e llogaritur sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.”, thuhej në vendimin e qeverisë që kundërshtohej nga KMSH.
Analiza e ndeshjes, Vllaznia-Teuta dhe Abissnet Superiore, java e 14-teështë analizuar mjenjëherë pas ndeshjes në…
Vllaznia arrin të marrë një fitore të vyer në frymen e fundit ndaj Teutës mbrërmjen…
Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë kujtuan mjeshtrin e humorit Zef Deda. Aty ku…
Kjo e dielë e ka gjetur pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me pak lëvizje…
Vitet e fundit po shtohen rastet e alergjive tek moshat e treta në Shkodër. Specialistët…
Puna për rehabilitimin e Zdrales po vijon në qyetin e Shkodrës.Aktualisht po punohet për shtrimin…
This website uses cookies.