Koncertet e verës, këngëtarja Marsela Çibukaj ndezi atmosferën në sheshin e shatërvanit
Në sheshin e shatërvanit, aty ku është instaluar Fan Zone, e pagëzuar me emrin “Kryezona ku mblidhen kampiona” energjia dhe adrenalina e koncerteve të verës vijoi mbrëmjen e së shtunës me këngëtaren e mirënjohur Marsela Çibukaj. Artistja Marsela Çibukaj solli tingujt e baladave, por që sigurisht nuk munguan as këngët ritmike të repertorit të saj, duke e bërë edhe publikun të këndojë njëzëri bashkë me të.
Qytetarët në shesh shijuan tingujt e muzikës deri në orët e vona të mbrëmjes. Muzika e mirë dhe plot ritëm pati vëmendjen maksimale të atyre që ishin të pranishëm në sheshin e shatërvanit. Prej disa netësh radhazi, muzika po bëhet shoqëruesja më e mirë e netëve verore për shkodranët, vizitorët vendas dhe ata të huaj që gjenden në Shkodër përgjatë kësaj periudhe.
Programi i koncerteve të verës vjen i pasur në këtë vit, ku emra të njohur të skenës muzikore shqiptare do të vazhdojnë të performojnë me këngët më të njohura shqiptare dhe të huaja duke i dhënë ngjyra fundjavave në kryeqendrën e veriut. Koncerti i radhës do të jetë ai i datës 24 korrik, ku në sheshin e shatërvanit do të ngjitet në skenë këngëtarja nga Kosova, Vesa Luma , ndërsa ato do të vijojnë deri më 23 gusht me artisten e Eurovisionit, Anxhela Peristerin, që do të mbyllë serinë e koncerteve të verës.