Koncerti festiv i Krishtlindjes/Këngëtarja Ana Bushgjokaj këndoi e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Shkodrës
Në praninë e qindra qytetarëve, sheshi para Bashkisë në Shkodër priti koncertin festiv të Krishtlindjes ku protagonistja kryesore ishte artistja e re Ana Bushgjokaj. Nën moderimin e Isli Islamit dhe tingujve të gjallë të Orkestrës Simfonike të Shkodrës pjesë e koncertit u bënë edhe artistë të tjerë shkodranë
që kënduan duet me Ana Bushgjokën, e cila këndoi një repertor të pasur këngësh dedikuar Krishtlindjes ndërsa një moment i bukur ishte ai përkrah motrës së saj Eliza Bushgjokaj dhe vëllait Dion Bushgjokaj.
Për çdo këngëtar është privilegj të performojë krah një Orkestre Simfonike ndaj edhe për artisten Ana Bushgjokaj, ky është një moment i veçantë në karrierën e saj.Një hap para për Shkodrën e konsideroi formatin e këtij koncerti Maestro Jetmir Barbullushi.”Ana Bushgjokaj tregoi se si një artiste e brezit të ri po ecën me hapa të sigurtë në rrugën e artit të vërtetë”, u shpreh Dritan Mlika, drejtuesi i QK “Pjetër Gaci”.Deri në fundin e këtij viti kalendarik janë parashikuar për t’u zhvilluar edhe disa koncerte të tjera për spektatorët shkodranë në sheshin para Bashkisë si dhe në Teatrin “Migjeni”.