Koncerti “Stabat Mater” për Pashkët, Imzot Angelo Massafra në këtë ditë festoi 75-vjetorin e tij të lindjes
Java e madhe që i drejton besimtarët katolikë në Pashkën e Ringjalljes u parapri nga koncerti “Stabat Mater” në katedralen “Shën Shtjefni” të Shkodrës, me iniciativën e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Ansambli “Musica Nova”, i përbërë nga instrumentistë të rinj, ekzekutoi nën dirigjimin e Harlen Nikollit, pjesë instrumentale të shoqëruara nga sopranot Simona Karafili dhe Anita Kerhani.
Në këtë ditë Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Angelo Massafra festoi 75-vjetorin e lindjes së tij. Ky ishte edhe motivi i vizitës në Shkodër i Presidentit të Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Gjergj Metës.
Kancelari i Ardioqezës Shkodër – Pult, Atë Artan Seli lexoi Dekretin e Selisë së Shenjtë që pranon dorëheqjen e Imzot Angelo Massafrës nga detyra e tij.
Imzot Massafra falenderoi çdonjërin për besimin e dhënë në detyrën si ipeshkv.
Imzot Angelo Massafra ishte një nga misionarët e parë që erdhi në vendin tonë pas regjimit komunist. Si frat françeskan, ai sherbeu për disa vite në Dioqezën e Lezhës dhe pranë kuvendit të fretërve në Laç të Kurbinit. Më vonë u zgjodh Ipeshkëv nga Shën Gjon Pali II nga i cili u shugurua më 6 janar 1997. Më 28 Mars 1998 u emërua Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës, detyrë të cilën e ushtroi për plot 26 vite.