Koncesioni i Sterilizimit, Beqja: SPAK nuk hetoi 2 elementë, e vërteta e përfitimit të shqiptarëve do dalë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja pas komunikimit nga SPAK të akuzës për shpërdorim detyre, ka deklaruar para mediave se prokurorët në 50 muaj nuk kanë qenë në gjendje që të hetonin dy elementë kryesorë.
Beqja shpreson që e vërteta e tij mbi “Sterilizimin” do të dalë në gjykatë. Pyetjes se përsa ja dhatë koncesionarit qendrën e sterilizimit, ish-ministri iu përgjigj duke thënë se “që t’i shërbenin më mirë shqiptarëve”.
“Kisha detyrimin ta vë në punë, e vura në punë dhe fatmirësisht 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte shumë të sigurta.
Në 50 muaj prokurorët nuk qenë në gjende të bënin dy vlerësime kryesore që bëhen për çdo Partneritet Publik Privat , vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja e riskut mes privatit dhe publikut pas 8 vitesh zbatim kontrate. Të vërtetën time do e përballoj në gjykatë ku besoj do dalë e vërteta e përfitimeve që kanë patur të gjithë shqiptarët nga ky proces sterilizimi”, u shpreh ish-ministri.
Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, u bë arrestimi i biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.