Koncesioni i sterilizimit, SPAK përfundon hetimet, të pandehurve do t’u komunikohen akuzat të hënën

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për dosjen e sterilizimit, duke çuar në GJKKO, kërkesën për çeljen e gjykimit. SPAK pritet t’i komunikojë akuzat 8 personave të pandehur, mes të cilëve edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ky i fundit akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim largimi jashtë vendit në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.
Kështu, sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike. Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.
Në burg lidhur me këtë koncesion ndodhen ish-zëvendës ministri i shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni i sterilizimeve spitalore, Ilir Rrapaj, si të dyshuar nga SPAK për falsifikime, mashtrime dhe shpërdorim detyre.
Koncensioni, i dhënë 8 vjet më parë, parashikonte ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.