Koncesioni i sterilizimit/ U pyet në SPAK për rreth 9 orë, Beqaj: Së shpejti pres të më kthehen sendet e sekuestruara
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku u mor në pyetje për rreth 9 orë për koncesionin e sterilizimit. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Beqaj tha se hetimet janë ende shumë të ngushta dhe se duhet të shtrihen, sipas tij, në periudhën mars 2011 deri në shtator 2013. Beqaj shtoi po ashtu se pret që t’i rikthehen “së shpejti” edhe sendet e sekuestruara. Gjatë kontrolleve më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Beqajt iu sekuestruan kompjutera, dokumente dhe sende të tjera që i shërbenin hetimit.
“Janë disa seanca të gjata pyetjesh që do të thotë se çështja është komplekse. Seancat e pyetjeve do të vijojnë edhe në ditë të tjera sidomos kur të kemi të plota edhe dokumentet e KLSH-së. Besoj se hetimet, mesa kemi parë deri tani, janë ende shumë të ngushta. Është e domosdoshme të shtrihen nga marsi 2011 deri në shtator 2013 për të hetuar pse 2 vite e gjysmë u mbajt në qese ai central dhe nuk u vu asnjëherë në punë. Tashmë janë bërë 8 vite nga zbatimi i kontratës për të hetuar cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta nga zbatimi i kontratës. Mu konfirmua që do të kem së shpejti ato sende që mu sekuestruan më 28 dhjetor”, tha Beqaj.
SPAK e akuzon Beqajn për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur masë detyrimi paraqitje ndaj ish-ministrit në mënyrë ai të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore.
Beqaj ka mohuar akuzat, ndërsa më 289 dhjetor të vitit të kaluar, BKH kreu edhe kontrolle në banesën e tij.