Konferenca e rajoneve detare periferike, takimi 2 ditor ka në fokus turizmin e zgjuar
Shqipëria priti për herë të parë byronë politike verore të CPMR, Konferencës së Rajoneve Detare Periferike. Pjesë e saj janë 150 rajone nga 24 shtete të Bashkimit Europian dhe më gjërë, që kanë në fokus politikat me ndikim të lartë territorial. Mirëseardhjen në Shkodër drejtuesve dhe anëtarëve jua uroi kreu i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, në cilësinë e mikpritësit. Ndou prezantoi shkurtimisht aktivitetin 10-vjeçar të Qarkut Shkodër në këtë organizatë të rëndësishme evopiane dhe më pas u ndal tek vlerat që përfaqëson rajoni ynë.
Drejtuesit e lartë të CPMR folën mbi sfidat e reja që ka kjo organizatë dhe vendet anëtare, përballë ndryshimeve që po pëson Evropa. I ndarë në sesione, ky takim 2 ditor ka në fokus turizmin e zgjuar, makrorajonin e Mesdheut dhe detyrat Adriatiko-Joniane, ku politika e kohezionit, transporti, sfidat e Europës ishin kryefjalë e diskutimeve. Në përmbyllje të qëndrimit të tyre në Shkodër, drejtuesit dhe anëtarët e CPMR panë nga afër investime më të rëndësishme në turizëm në Velipojë.