Konferenca e Sigurisë në Mynih, Hasani: Të shtohen përpjekjet për integrimin e Ballkanit
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani është takuar me homologët e tij të vendeve të tjera gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Hasani tha se në fokus të bisedime ka qenë pikërisht përpjekjet që duhet të bëjë Evropa dhe Ballkani Perëndimor në fushën e sigurisë, në një kohë kur situata nuk është aspak e qetë që nga lufta në Ukrainë e deri tek tensionet në Lindjen e Mesme.
Ministri Hasani tha se edhe integrimi Ballkanit në BE si një pikë kyçe për stabilitetin në Evropë iu dha prioritet gjatë diskutimeve në konferencë.
“Në Konferencën e Sigurisë në Mynih u takova me homologët e mi nga Bullgari-Mariya Gabriel, Kosova Donika Gërvalla-Schëarz, Malta- Ian Borg, Kroacia- Grlic Radman, Gjerorgjia- Ilia Darchiashvili, Moldavia- Mihai Popșoi, Bosnja-Hercegovina Elmedin Konaković, Bavaria-Eric Beißëenger, Sekretaren e Shtetit Susanne Baumann, të dërguarin special të Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stuart Peach dhe Kryetaren e Komisionit të Jashtëm, Alicia Kearns. Diskutuam agjendën tonë dypalëshe, me fokus në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet tona të përbashkëta për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme nën sfidat aktuale globale”, shkruan Hasani në Facebook.
Konferenca e Sigurisë e Mynihut (MSC), takimi më i rëndësishëm global i politikanëve dhe ekspertë të politikave të sigurisë filloi më 17 shkurt me pjesëmarrjen e dhjetëra krerëve të shteteve, qeverive dhe ministrave. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se Evropa duhet të rrisë investimet në fushën e sigurisë.