Konferencë shkencore e përbashkët e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Në Prishtinë u çel të premten konferenca shkencore ndërkombëtare “Sfidat dhe perspektivat e bashkëpunimit ekononomik Kosovë- Shqipëri dhe rajon” organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Konferenca u çel nga akademikja Justina Shiroka-Pula dhe akademik Anastas Angjeli. Më pas fjala iu dha akademik Skënder Gjinushit. Ai tha se bashkëpunimi midis kërkuesve e studiuesve të Shqipërisë dhe Kosovës është i domosdoshëm në të gjitha fushat e shkencës e që tani është kthyer në një praktikë pozitive midis dy akademive.
Zoti Gjinushi tha se kapacitetet intelektuale e logjistike modeste, përvojat e pakta në shumë fusha të reja, financimi i ulët për kërkimin shkencor në raport me PBB, e bëjnë të këshillueshëm e të detyrueshëm një bashkëpunim mes dy akademive.
Sipas kryetarit të ASHSH, Gjinushi, integrimi europian ka nisur si nevojë e integrimit ekonomik. Ky proces në të cilin janë përfshirë dhe Kosova e Shqipëria dhe globalizimi i përgjithshëm, imponojnë një bashkëpunim në rritje jo vetëm me vendet e rajonit e ato evropiane, por më së pari, mes nesh.
“Ne na duhet t’i paraprijmë integrimit tonë europian me integrimin tonë të brendshëm, si treva të botës shqiptare, në të gjitha fushat, por veçanërisht e me përparësi në rrafshin ekonomik, duke pasur si objektiv orientues “Dy vende – një ekonomi”, ka theksuar akademik Skënder Gjinushi.
Për sa i takon integrimit ekonomik e shkencor midis Shqipërisë e Kosovës, Gjinushi tha se, si dy vende me të njëjtin popull, këto tendenca e prirje të politikës janë të sfumuara, pasi midis nesh nuk duhet të ketë asnjë merak se kush përfiton më tepër. Marrja e mendimit shkencor për çështjet e rëndësishme siç do të jenë edhe konkluzionet e rekomandimet e kësaj konference, do të zbuste edhe ndonjë prirje për protagonizëm politik, tha kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi.