Kongresi/ Balla: Intensifikojmë goditjen e grupeve kriminale. Praktikë e re penale ndaj atyre që ngrenë dorën kundër shtetit
Teksa bëri një përmbledhje të punës së bërë deri më tani, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tregoi edhe objektivat në vijim.
Në fjalën e tij në Kongresin e PS-së, Balla theksoi se do të intensifikohet edhe më tej lufta kundër grupeve kriminale, duke e konsideruar një nga prioritete kryesore, sëbashku me sigurinë publike.
“Shqipërisë i është pastruar përfundimisht imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria publike në këtë sezon turistik ishte shumë e rëndësishme sepse e certifikoi vendin tonë si një vend të sigurt turistik. Siguria publike do të mbetet një prej sfidave të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë dhe ndaj vitin e ardhshëm do të kemi Forcën Kombëtare të Sigurisë si një strukturë shtesë në zonat turistike. Rezultatet e arritura deri tani nga Policia e Shtetit është vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar. Në territorin e vendit nuk do të ketë më feude ku mbi ligjin, mbi qytetarët të jenë të fortët. Lufta kundër krimit të organizuar dhe siguria publike mbeten prioritete kryesore. Hetimet në bashkëpunim me SPAK po çmontojnë grupe të rëndësishme kriminale”, tha Balla.
Po ashtu, ai kërkoi vendosjen e një standardi të ri sa i përket respektimit të autoritetit të Policisë së Shtetit, teksa u shpreh se do të ketë shumë shpejt një praktikë të re penale “për këdo që ngre dorën kundër shtetit”.
“Në këtë shtet ne duhet të vendosim një standard të ri sa i përket respektimit të autoritetit të Policisë së Shtetit. Nuk mund të pranojmë më shtyrje, kërcënim, kanosje apo kërcënim të jetës ndaj policëve apo Gardës së Republikës siç po ndodh këto ditë në Kuvend. Duhet të vendosim një standard të ri ndaj kujtdo që guxon të ngre dorë kundër shtetit. Një politikë e re, një praktikë e re penale do të zërë vend shumë shpejt në këtë drejtim, duke kërkuar edhe mbështetjen e sistemit të drejtësisë. Nëse do jetë e nevojshëm do t’i përfshijmë edhe në ndryshimet e reja të Kodit Penal”, theksoi Ministri.
Ndalur te procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, Balla tha se do të vazhdojë, ndërsa bëri me dije se në vetëm 20 javë janë 323 policë të arrestuar apo të proceduar.
“Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet me procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit për të çrrënjosur elementët e dëmshëm. Kjo do të kryhet në një hetim të plotë me SPAK, SHISH dhe agjenci të tjera për të garantuar pastrimin e plotë të Policisë së Shtetit. Në këto 20 javë janë 323 punonjës policie të arrestuar, apo të proceduar. Rikthimi i besimit te Policia e Shtetit po avancon në mënyrë të dukshme”, tha Balla.